Sunday, May 19, 2013

Si jepte Pejgamberi alejhi selam sadaka vullnetare?




Pejgamberi alejhi selam jepte lëmoshë prej pronës së vet më shumë se çdo njeri tjetër. Atij nuk i dukej shumë diçka që e jepte për Allahun e Lartësuar, por as pak. Kushdo që i lypte diçka, ai ia jepte, qoftë pak apo shumëAi jepte lëmoshë si dikush që nuk e ka frikë varfërinë. Dhurimi dhe lëmosha ishin dy gjëra që ai i pëlqente shumë. Gëzimi i Pejgamberit alejhi selam kur jepte, ishte më i madh sesa gëzimi i atij që merrte. Pejgamberi alejhi selam ishte njeriu më bujar dhe më mirëbërës. Mirësia që u vinte njerëzve nga dora e Pejgamberit alejhi selam ishte më e shpejtë, më e vazhdueshme dhe më përfshirëse sesa era me shpejtësinë dhe dobinë e saj gjithëpërfshirëse. Kur i dilte përpara ndonjë nevojtar, Pejgamberi alejhi selam i jepte atë që kishte për vete; ndonjëherë i jepte ushqimin e vet e ndonjëherë i jepte rrobën e vet.
Format se si jepte Pejgamberi alejhi selam ishin të larmishme: ndonjëherë jepte në formë ndihme, ndonjëherë në formë sadakaje (lëmoshe), ndonjëherë në formë dhurate, ndonjëherë e blinte diçka dhe më pas i jepte shitësit edhe çmimin, edhe mallin, sikurse bëri me devenë e Xhabirit (r.a.), ndonjëherë merrte diçka hua dhe e shlyente më mirë dhe më shumë sesa kishte marrë.[1] Kur blinte diçka, ai paguante më shumë sesa çmimi i saj. Ai alejhi selam e pranonte dhuratën, dhe e shpërblente dhuruesin me më shumë apo me shumëfishin e asaj që kishte dhuruar.
Kësisoj, Pejgamberi alejhi selam gjente forma dhe mënyra të llojllojshme për të dhënë sadaka e për të bërë mirë me gjithçka të mundshme. Ai bënte mirë me pronën e vet, me gjendjen, karakterin dhe këshillat e tij. Kështu, ai e jepte pasurinë e vet, dhe i urdhëronte e i nxiste njerëzit të jepnin sadaka. Karakteri, gjendja dhe fjala e Pejgamberit alejhi selam i shtynte njerëzit të bënin mirë. Kur kurnaci shikonte jetën, gjendjen dhe karakterin e Pejgamberit alejhi selam, motivohej të jepte lëmoshë dhe të bënte mirë. Kush shoqërohej me Pejgamberin alejhi selam apo shikonte sjelljen e tij, doemos do të bëhej zemërgjerë dhe bujar.
Vetë sjellja e Pejgamberit alejhi selam ishte një shtysë për të bërë mirë e për të dhënë sadaka. Për këtë arsye, Pejgamberi alejhi selam ka qenë krijesa me kraharorin më të hapur, shpirtin më të mirë dhe zemrën më të lumtur, sepse sadakaja dhe mirëbërja kanë një ndikim të çuditshëm në hapjen e kraharorit dhe në qetësinë shpirtërore, por përveç kësaj, Allahu e veçoi atë nga të tjerët duke ia hapur kraharorin me pejgamberinë, me mesazhin hyjnor dhe me të gjitha karakteristikat e pejgamberisë. Allahu e dalloi të Dërguarin e Tij edhe me hapjen fizike që iu bë kraharorit të tij dhe me nxjerrjen e pjesës së shejtanit prej tij.
 
[1] Ebu Hurejra rrëfen se një burrë shkoi te Pejgamberi (s.a.u.s.) për të kërkuar borxhin dhe i foli ashpër. Shokët e Pejgamberit alejhi selam tentuan ta qortonin, ose ta godisnin, por Pejgamberi alejhi selam u tha: “Lëreni, sepse i zoti i borxhit ka të drejtën e kërkesës dhe fuqinë e argumetit!”. Pastaj u tha: “Jepini një deve në moshën e devesë së tij”. Sahabët thanë: “Ajo që mund të gjejmë është më e mirë se mosha e devesë së tij”. Ai u tha: “Jepjani, se më i miri prej jush është më korrekti dhe më bujari në shlyerjen e borxhit.”[1] Ky hadith është përcjellë nga Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.
Shkeputur nga libri “Zad el Mead”.

No comments:

Post a Comment