Sunday, May 19, 2013

Gjykimi i grave që përdorin mjete për ndalimin e shtatzënisë




Pyetja: Cili është gjykimi i atyre grave muslimane të cilët instalojnë në trupat e tyre mjete, që të mos lindin fëmijë?
Përgjigja: Para së të dimë gjykimin e personave, duhet të dimë fillimisht gjykimin e veprës, e që në këtë rast duhet të dimë gjykimin e kësaj vepre, ashtu që të dimë gjykimin e atij i cili e vepron atë.
E për sa i përket gjykimit të kësaj vepre, e vërteta është se në të ka detalizim, pasi që nga këto instalime ka që përdoren përkohësisht, pra që gruaja të mos lindë përkohësisht, (ose një kohë të caktuar), e ka nga ato gjëra që ndalojnë që gruaja të mos lindë më asnjëherë. Më poshtë po përmendim gjykimin e atyre mjeteve të cilat përdoren për të ndaluar shtatzëninë (ose lindjen) në një periudhë të caktuar e duke vazhduar më pas me atë të përhershmen:
Nëse këto mjete përdoren për të ndaluar shtatzëninë për një kohë të caktuar për shkak të ndonjë shkaku të cilin sheriati e sheh si të arsyeshëm atëherë këto mjete lejohen, e nuk ka asgjë të keqe në këto, e kjo është njëjtë me atë se kur burri bie dakord me gruan e tij për të mos lindur fëmijë dhe burri nuk shkarkohet tek gruaja[1], por shkarkohet jashtë, e ky veprim është i lejuar në Islam, këtë e kanë mbështetur shumica e dijetarëve sikurse medh'hebi i imam Ebu Hanifes, medh'hebi i imam Malikut, medh'hebi i imam shafiut dhe gjithashtu edhe medh'hebi i imam Ahmedit, dhe janë argumentuar për këtë mendim me argumentet e mëposhtme:
Transmetohet nga Xhabir bin Abdullah se një njeri erdhi tek Profeti alejhi selam dhe e lajmërojë atë se ai kishte robëreshë dhe nuk donte të kishte fëmijë me të, e Profeti alejhi selam i tha atij: "Shkarkohu jashtë saj nëse dëshiron.." (Muslimi). E thonë dijetarët se hadithi tregon në mënyrë të qartë se lejohet që burri të shkarkohet jashtë gruas së tij nëse ka ndonjë arsye apo bie dakord me gruan e tij sikurse do ti përmendim më poshtë kushtet e kësaj. Profeti alejhi selam e la në dorën e këtij njeriu të shkarkohet tek gruaja apo jo, e kjo tregon lejueshmërinë.
Gjithashtu është transmetuar nga Xhabir ibn Abdullah r.a se ka thënë: "Ne (shokët e Profetit) shkarkoheshim jashtë grave tona në kohën e Profetit alejhi selam, e ndërkohë që Kur'ani zbriste." (Buhari). Ndërsa në një transmetim tjetër nga imam Muslimi thuhet: "Shkarkoheshim jashtë grave tona në kohën e Profetit alejhi selam, e kështu i arriti kjo gjë Profetit alejhi selam, e ai nuk na ka ndaluar nga kjo." Pra shihet qartë se Profeti e ka miratuar këtë veprim, e nëse do të përmbante diçka do ti kishte ndaluar shokët e tij nga kjo, e kanë ardhur edhe shumë hadithe të tjera që tregojnë për këtë.
Ndërsa kanë treguar disa dijetarë se ky veprim është mekruh (i papëlqyer), pasi që kjo të dërgon në pakësimin e pasardhësve, gjë për të cilën ka nxitur sheriati, e nga ata që kanë qartësuar pa pëlqyeshmërinë e kësaj është medh'hebi i imam Shafiut dhe i imam Ahmedit.
Mirëpo nëse ky veprim bëhet për ndonjë nevojë atëherë është i lejuar pa pëlqyeshmëri, e këtë e ka treguar imam Ibn Kudame në (Mugni, 7/226), ku thotë: "Shkarkimi jashtë gruas është ë papëlqyer... vetëm nëse bëhet për ndonjë nevojë." Pastaj ka sjellë disa shembuj për këtë se kur është e lejuar.
Duke u bazuar në këtë që e ceka më lart themi se përdorja e mjeteve për të ndaluar shtatzëninë për një afat të caktuar është i njëjti gjykim më shkarkimin jashtë gruas pa asnjë ndryshim, pra që është i lejuar nëse bien dakord të dy palët dhe është i papëlqyer nëse nuk ka ndonjë arsye të shëndosh fetare. E këtë e kanë treguar shume prej dijetarëve si nga të hershmit po ashtu edhe nga bashkëkohorët, sikurse Komisioni i përhershëm për fetva të Saudisë.[2]
Mirëpo që ky veprim të jetë i lejuar, i ka tre kushte:
  1. Të përdoren këto mjete (pra për ndalimin e shtatzënisë) me lejen dhe rënien dakord e të dyja palëve, dhe nuk lejohen këto vetëm se me pëlqimin e të dy bashkëshortëve.
  2. Të ketë ndonjë dobi të cilën sheriati e sheh si të arsyeshme që të përdoren këto parandalime të shtatzënisë. Kështu që nuk lejohet përdorimi i këtyre për shkak të frikës nga varfëria, apo arsye të tjera të cilat sheriati nuk i sheh të arsyeshme.
  3. Që të mos ketë ndonjë dëmtim në përdorimin e këtyre mjeteve, si për gruan ashtu edhe për burrin, e këto mjete që ndalojnë nga shtatzënia nuk i shpëtojnë dëmtimeve në përgjithësi në atë që kam njohuri. E njëjta vlen edhe për kapsulat apo edhe gjilpërat për parandalimin e shtatzënisë, e kjo nuk bëhet vetëm se më rekomandimin e një mjeku të besuar, sikurse kanë thënë disa dijetar. E nëse ndonjëra nga këto kushte nuk realizohet, këto vepra bëhen të ndaluara.
Ndërsa për sa i përket përdorimit të tyre në mënyrë që gruaja të mos lindë asnjëherë, kjo pa diskutim është haram në sheriat, pasi që kjo e ndryshon natyrshmërinë të cilën Allahu e ka krijuar për njerëzit, natyrshmëri kjo e cila Allahu është i kënaqur me të. Gjithashtu kjo dërgon në pakësimin e pasardhësve dhe shtimin e umetit, gjë të cilën na ka nxitur islami, gjithashtu përdorimi i këtyre mjeteve për mos të lindur asnjëherë është sikurse thirrja e atyre njerëzve të cilët duan të pakësojnë numrin e muslimanëve. Gjithashtu kjo është marrje shembull nga veprat e kohës së injorancës, apo injorantëve. Gjithashtu kjo është mendim i keq për Allahun nëse kjo bëhet për shkak të varfërisë etj.
Në lidhje me këtë, komisioni përhershëm për fetva të Saudisë ka bërë një studim, e ndër të tjera ka thënë: "Nuk lejohet pakësimi (ose parandalimi) i pasardhësve absolutisht, e as që lejohet ndalimi i shtatzënisë nëse është për qëllim me këtë frika nga varfëria, sepse Allahu është Furnizuesi, e nuk ka në tokë ndonjë gjallesë vetëm se e ka marr përsipër Allahu furnizimin e saj." Pastaj kanë përmendur se nëse ka ndonjë arsye për këtë ndalesë të shtatzënisë ose vonimin e saj, atëherë nuk përbën ndonjë problem.[3]
Kështu që duke u bazuar në këtë detalizim të përmendur, nxjerrim në konkluzion se në disa raste parandalimi i shtatzënisë me këto mjete është i ndaluar, e vepruesi i këtyre është gjynahqar pasi që ka vepruar një ndalesë. Gjithashtu ka raste që kjo vepër është e papëlqyer, kështu që vepruesi i saj ka vepruar një 'mekruh', e ka raste të tjera që kjo vepër është e lejuar e vepruesi i saj nuk ka përgjegjësi tek Allahu.

No comments:

Post a Comment