Thursday, May 23, 2013

MMPH: Arinjtë Rina dhe Ari, të lumtur në strehimore



Dy arinjtë e murrmë, Rina dhe Ari, dje u morën nga minikopshti zoologjik ku ishin mbajtur me vite, për t’u dërguar në strehimoren afër liqenit të Badovcit. Edhe pse këtë e kundërshtoi pronari i minikopshtit “Shqiponja”, Ministria e Mjedisit, Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare për mirëqenien e kafshëve “Katër Putrat” nga Austria, shpëtuan këta dy arinjë me qëllim të mbrojtjes institucionale së kësaj specie të rrezikuar të Kosovës.  Ceremonisë së lirimit të tyre në hapësirë të hapur në parkun e arinjëve iu bashkangjit ministri i Mjedisit, Dardan Gashi, ambasadorja e SHBA, Trejsi En Xhejkobson dhe ambasadori austriak, Xhonan Brieger. Vendimi për mbledhjen e këtyre arinjëve nga minikopshtet zoologjike në Kosovë, që operojnë në kuadër të restoraneve, është i bazuar në ligjin për mbrojtjen e natyrës, ligjin për mbrojtjen e kafshëve, si dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e specieve të rrezikuara. Rina dhe Ari janë arinjtë e dytë që u shpëtuan me ndihmën e organizatës “Katër Putrat”. Në Mars të këtij viti, ariu i murrmë, Kasandra, ka qenë ariu i parë i vendosur në strehimoren e arinjëve, afër liqenit të Badovcit. Deri në fund të korrikut, pritet që të gjithë 15 arinjtë e murrmë që gjenden në këto minikopshte të transportohen në këtë strehimore. Praktika të tilla zbatohen në shumë shtete të botës, ku llojet e mbrojtura të arinjëve mbahen në strehimore të veçanta gjysmënatyrore dhe shërbejnë edhe për çështje komerciale. Rasti i Kosovës është i pari në rajon që po arrin të finalizohet, edhe pse “Katër Putrat” ishte përpjekur që strehimore të ngjashme të hapen edhe në Shqipëri dhe Serbi. Këtë ngjarje e përcollën edhe një numër i madh i mediave lokale dhe ndërkombëtare./Lajme/

No comments:

Post a Comment